Gryka e Këlcyrës ndodhet në rrethin e Përmetit dhe në të ndodhet një nga burimet ujore më të bukura të Shqipërisë, Burimi i Ujit të Zi, i cili ndonëse jo shumë i përmendur siç mund të thoshim për pika të tjera ujore të natyrës shqiptare, është një vend i mrekullueshëm që vlen të vizitohet. Këlcyra është një qytet që shtrihet përgjatë maleve Trebeshinë dhe Nemërçkë dhe laget nga lumi Vjosë dhe Dëshnicë. Udha për në Këlcyrë,mund të merret edhe pasi shkëputeni nga rruga Tepelenë-Gjirokastër dhe lë në të djathtë rrënojat e qytetit të lashtë të Antigonesë. Madhështore dhe hijerëndë Gryka e Këlcyrës çan mes honesh të thepisura dhe mbërrin në pikën më të lartë të pllajës që shtrihet mes Malit të Trebeshinës e Nemërçkës në qytetin e Këlcyrës, që është i vendosur në të djathtë të Vjosës, aty ku lumi i Dëshnicës së bashku me degët e veta nis bashkërrjedhjen me Vjosën.