Zona Gjeografike: Këlcyra kufizohet në veri me bashkinë Poliçan, në lindje me Bashkinë Skrapar, në jug me bashkinë Përmet dhe Libohovë dhe në perëndim me Bashkinë Tepelenë dhe Memaliaj. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Këlcyrës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 6.113banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 12.468 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 304.65 km2, me një densitet prej 40.92 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Këlcyrë, Ballaban, Sukë dhe Dishnicë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Përmet dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 48 fshatra

Këlcyra është  e shtrirë mes maleve Trebeshinë dhe Nemerckë, e cila përshkohet nga ujërat e kthjellëta të Vjosës. Zona me peizazhe mahnitëse dhe vende historike ofron pak sa i përket strukturës arkitekturore. Zhvillimet urbane pa kriter, mos-kombinimi i ndërtimeve para viteve ’90 me ato të tranzicionit dhe mungesa e një plani urban për zgjerimin kanë sjellë pasoja për qytezën e Këlcyrës.

Të ardhurat ekonomike të banorëve janë të ulëta. Ato vijnë nga aktivitete të vogla tregtare dhe shërbimi, por edhe nga bujqësia dhe blegtoria e pakët. Këlcyra është dalluar gjithmonë për cilësinë e lartë të frutave dhe rrushit dhe është njohur si qendër për kultivimin e rakisë dhe verës. Por kaosi në tregun shqiptar të pijeve dhe spekulimet kanë bërë që Merloti i famshëm i Këlcyrës pothuajse të humbasë në tregun shqiptar të verës.

Edhe vreshtaria ka pësuar luhatje të ndjeshme, ndërsa kantinat kanë pak peshë në ekonominë e zonës. Të ardhurat nga emigracioni kanë mbështetur mjaft familje të zonës, por rënia e tyre për shkak të krizës ka rënduar situatën ekonomike të banorëve.

Popullsia e Këlcyrës është e përbërë kryesisht nga vendas dhe të ardhur nga fshatrat përreth. Shumë banorë kanë migruar drejt Tiranës, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë kanë emigruar kryesisht drejt Greqisë fqinje.

AlbaniaUSA